Sorry, no posts matched your criteria.

Elda Hoti; Një shpresë për rininë shqiptare

Teksa bashkëmoshatarët e saj reflektojnë zhgënjim, mospranim apo mungesë interesimi për politikën, Elda ka vendosur të investojë tek politika. Një vajzë e re, nënë e dy fëmijëve të vegjël ka vendosur të ngrejë zërin e saj edhe në foltoren e parlamentit. Në rrëfimin e saj për Global Woman ajo zbulon anën tjetër të jetës, mungesat në shtëpi, malli për fëmijët, gjendja e bashkëqytetarëve teksa i sheh. Ndonëse e re në moshë, Elda duket se e ka nisur këtë rrugëtim për ti dhënë një imazh të ri qytetit të saj, politikës përpara syve të rinisë. Nëse mendoni se politika nuk është zgjidhja për shumë probleme, Elda Hoti është aty për të na rrëfyer krejt të kundërtën…

Ka qenë një vit i vështirë për të gjithë, si ka qenë për Eldën?

Viti që lamë pas që prej tërmeteve, prej pandemisë ishte i vështirë  për të gjithë dhe na përballi me sfida të shumta. Disa humbën shtëpinë, disa humbën të afërmit. Edhe për mua dhe familjen time ka qenë i vështirë. Gjatë kohës së karantinës përveç ndjenjës së pasigurisë së çfarë po ndodh, unë e shijova shumë me familjen time. Kompesova gjithë kohën që ju kisha munguar fëmijëve. Kishim patur nevojë për një ndalim të kohës dhe për t’ju dedikuar njëri-tjetrit. Atyre gjërave që kanë më vlerë në jetë.

Si është për një femër, të re në moshë, më fëmijë, të jetë pjesë e politikës?

Të jesh nënë dhe deputete është përgjegjësi e madhe. Kam marrë përsipër një detyrë kaq të rëndësishme, për të kontribuar dhe për të dhënë gjithë dashurinë që ka një nënë, për të bërë më të mirën për vendin në të cilin kemi vendosur të rrisim fëmijët tanë. Nuk e kam patur aspak të lehtë, por mendoj se kur gjërat kryhen me zemër e gjen balancin, për familjen dhe punën. Unë kam vënë si kryefjalë të jetës time familjen. Fëmijët janë motivimi dhe forca ime për të ecur përpara. Përpos çdo gjëjë që bëjmë në jetë fëmijët mbetën dashuri e përjetshme dhe e pazëvendësueshme. Kam marrë përsipër një detyrë kaq të rëndësishme, për të kontribuar dhe për të dhënë gjithë dashurinë që ka një nënë, për të bërë më të mirën për vendin në të cilin kemi vendosur të rrisim fëmijët tanë.Shqipëria ka nevojë për një strategji të re politike, por edhe për frymë të re ndryshe.

Si e gjetët këtë fushë, vështirësitë, barrierat që hasët?

Fillimisht jam angazhuar në politike si shumë të rinj, besoj, kur isha student. Unë mendoj që Shqipërisë i duhet jo vetëm një strategji e re politike, por dhe njerëz që janë gati të përqafojnë një mendësi të re, të cilët mund të përmirësojnë gjendjen aktuale dhe të ndërmarrin hapa për zgjidhje afatgjata. Sigurisht që kur je e re dhe femër paragjykohesh.  Jam rritur në një qytet të vogël në Milot, por kjo nuk më pengoj të kem ëndrra të mëdha dhe të jem një zë përfaqësues për çdo shqetësim të qytetarëve të mi. Kur hyra në politikë i mora parasysh vështirësitë, kritikat, komentet. Po gjëja më e rëndësishme është ta përballoni me guxim çdo gjë që ju vjen në jetë dhe të jepni më të mirën që duhet.

Si i sheh femrat në politikë?

Nëse do të vlerësosh demokracinë e një vendi, përparimin e një shteti dhe civilizimin e një shoqërie, shiko se çfarë vendi zë gruaja në to. Shoqëria Shqiptare vjen nga ajo pjesë e mentalitetit shoqëror të të pranuarit të burrave më shumë në politikë e në vendimmarrje.Pjesëmarrja e femrës në politikë është emancipim, është zhvillim dhe ndarje nga koncepte frenuese kanunore.  Administrimi i pushteteteve nga gratë do të thotë më pak korrupsion në të gjitha nivelet e qeverisjes. Më shumë gra në politikë e në administratë do të thotë më shumë politika të përgjegjshme dhe sociale. . Zëri dhe fjala e gruas në vendimarrje, në politikëbërje, mund të degjohen dhe të ndikojnë fuqimisht në vendimarrje, kur vetë sistemi politik është mbrojtës i lirive dhe i të drejtave të grave, me vepra dhe jo me fjalë. Sot gruaja shqiptare është më e përgatitur dhe më e motivuar për misionin e saj edhe në politikë.

Tashmë jemi në prag të zgjedhjeve, si ka qenë për Eldën kjo periudhë?

Këto zgjedhje janë të rëndësishme për situatën politike që ndodhet vendi, për ekonominë e rrënuar, për situatën alarmante siç është largimi i të rinjve, për papunësinë dhe varfërinë e theksuar. Shqiptarët kërkojnë më pak premtime boshe dhe më shumë punë. Votuesit janë përgjegjës për të ardhmen e tyre dhe duhet të jenë ata të cilët duhet të kërkojnë përgjegjësi nga partitë dhe politikanët. Unë do të jap kontributin tim për demokracinë e vendit.

Nëse nuk do të jeni më në politike, cili do të jetë angazhimi juaj?

Çdo gjë është kalimtare, e rëndësishme është që kur të kthesh kokën pas mos të pendohesh për zgjedhjet që ke bërë në jetë dhe të jesh krenare.  Besoj do t’i përkushtohem profesionit tim si avokate për të cilin investova shumë për t’u arsimuar dhe për të arritur suksese në jetë, por do të jap kontributin tim në politikë sepse mendoj se politika ka nevojë për frymë të re dhe njerëz të pakorruptuar në fushën e drejtësisë.

Mund të ndash me ne eksperiencën teksa ke takuar nga afër qytetarët, ankesat e tyre dhe rrugëdalja që propozoni ju?

Jam munduar të jem e përgjegjshme, të punoj me zemër dhe të jem e përulur ndaj bashkëqytetarëve të mi.  U jam përgjigjur çdo ankese,  shqëtësimi që kanë patur dhe kam qënë zë i tyre në Parlament.  Gjatë kohës se termetit, jam munduar t’ju gjendem pranë dhe të ndihmoj shumë familje.  Kam parë varfëri të tejskajshme, kushte skandaloze ku jetonin. Sikur të kisha një fuqi të mbinatyrshme dhe të paktën mos të shikoja fëmijë që vuajnë.  Akoma sot ka familje që jetojnë në çadra me familjarë të sëmurë, fëmijë të vegjël dhe shteti nuk reagon për ti ndihmuar.  Unë jam deputete e një qarku që është lënë në harresë nga politika. Ankesat e qytetarve nuk kanë fund. Mungesa e dritave, ujit është një problem jetik që vazhdon edhe sot ne 2021.  Mungesa e papunësisë. Të rinj të pamotivuar dhe me endrrën e vetme për tu larguar. Gratë nuk kanë asnjë mundësi punësimi dhe asnjë mbështetje nga shteti.  Nuk ka parqe publike, si edhe shumë e shumë mungesa të tjera. Shteti nuk është i dukshëm… Ka ardhur koha për ndryshim. Mjaft më me xhaketa të vjetra, me individë të korruptuar, që e drejtojnë Shqipërinë përmes propagandës dhe premtimeve boshe.  E ardhmja e këtij vendi i takon brezit të ri dhe vetëm ne të rinjtë mund ta orientojme Shqipërinë të ecë në trajektoren e demokracisë.

A është politika zgjidhja për problemet e shqiptarëve?

Mirëqënia e një shteti është ngushtësisht e lidhur me një politikë bërje të shëndoshë. Shqipëria ka nevojë për strategji të reja në sektorët më jetik të vendit dhe për sa më sipër vetëm hartimi i politikave në shërbim të qytetarëve mund të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve që kanë sot shqiptarët taksapagues dhe jo veç një kastë individësh të lidhur ngushtësisht me pushtetin shtetëror për përfitime personale.

Elda si nënë, sa i mungoni fëmijëve në shtëpi dhe si e rikuperoni kohën e humbur? Do doje që ndonjëri prej tyre të vijonte rrugën tuaj?

Unë jam nënë e dy fëmijëve Ama dhe Davis. Ata janë bekimi më i madh që më ka ndodhur në jetë. Momentin që u bëra nënë, çdo gjë ndryshoj 360 gradë në jetën time.  Unë dhe bashkëshorti im jemi munduar të krijojmë marrëdhenie perfekte me to dhe jo që insistojmë të jenë fëmijë përfektë. Fëmija është libër në të cilin lexojmë dhe në të cilin duhet shkruar. Ajo çfarë ka nevojë më shumë një fëmijë është dashuria dhe prezenca e prindërve dhe ne jemi munduar të jemi çdo moment pranë tyre.  Kur mungoj unë, është bashkëshorti ose prindërit e mi të cilëve u jam mirënjohës gjithë jetën, për dashurinë dhe ndihmën e madhe që po më japin në rritjen e fëmijëve.  Ama, ishte 13 muajshe kur unë u prezantova si kandidate për deputete. Nuk do i harroj kurrë duartrokitjet e saj me ato duar të vogla pas fjalimit tim. Janë shumë të vegjël që të mendoj ku dua ti shoh në të ardhmen. Ajo çfarë dua unë me gjithë zemër për ta është të mos largohen nga Shqipëria. Të ndjekin gjithmonë zemrën e tyre dhe çdo gjë që ti bëjë të lumtur.

POST A COMMENT