Kampionati Botëror 2026 – Ndahen grupet e Shqipërisë dhe të Kosovës nëse kalojnë fazën “play off”
Ditën e djeshme, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u mbajt një ceremoni madhështore, ku u përcaktuan grupet e Kampionatit Botëror që do të luhet vitin e ardhshëm në SHBA-Meksikë-Kanada.
Përveç kuriozitet të përhershëm kur bëhet fjalë për një kompeticion kaq madhor, vëmendja e shqiptarëve ishte e shtuar dje pasi u mësua edhe grupi në të cilin do të jetë kombëtarja e Shqipërisë, nëse arrin të kalojë fazën “play off”.
Pra, nëse kuqezinjtë arrijnë të mundin Poloninë në gjysmëfinalen e “play off” dhe më pas fituesen e çiftit Ukrainë-Suedi, ata do të vendosen në Grupin F të finaleve të Kupës së Botës 2026. Nëse ia dalim, rivalët për tanët do të jenë Holanda, Japonia dhe Tunizia.
Nga ana tjetër, është edhe Kosova ajo që duhet të ndjekë të njëjtën rrugë me tonën. Nëse arrin të mundë Slloveninë në gjysmëfinalen e “play off” dhe më pas fituesin e përballjes Turqi-Rumani, ajo do të vendoset në grupim D me SHBA, Paraguain dhe Australinë.
Bëjmë me dije se nga rezultatet e fazës së grupeve në botror do të kalojnë në fazën e radhës 2 ekipet më të mira të çdo grupi, si dhe 8 skuadra të tjera të vendeve të treta me më shumë pikë.
Interesant është fakti se për herë të parë në një turne të tillë, 4 kombëtaret e renditura me lart në renditjen botërore (Argjentina, Spanja, Franca, Anglia) nuk do të përballen mes tyre deri në finale, nëse arrijnë të kualifikohen si të parat e grupeve të tyre.
Për herë të parë Botërori do të ketë plot 48 kombëtare pjesëmarrëse të ndara në 12 grupe me nga 4 skuadra.
Ceremonia e djeshme nuk ishte thjesht një mbrëmje sportive, por ishte ndërthurur më së miri me spektaklin skenik që amerikanët dinë t’i japin me këngë e performanca të ndryshme.
Në mënyrë “surprizë”, gjatë ceremonisë, Presidenti amerikan Donald Trump u vlerësua me Çmimin e Paqes që iu dorëzua nga kreu i FIFA-s, Gianni Infantino, në shenjë falenderimi për kontributin e tij për zbutjen e situatave të luftërave në botë.
Më poshtë do të gjeni të gjitha grupet e Kupës së Botës 2026:
Grupi A: Meksikë, Afrika e Jugut, Korea e Jugut, Fituesi i Play off D (Danimarka, Maqedonia e Veriut, Çekia ose Irlanda)
Grupi B: Kanada, fituesi i Play off A (Italia, Uellsi, Irlanda e Veriut ose Bosnje Hercegovina), Katar, Zvicër
Grupi C: Brazil, Marok, Haiti, Skoci
Grupi D: SHBA, Paraguai, Australi, fituesi i Play off C (Kosova, Turqia, Sllovakia ose Rumania)
Grupi E: Gjermani, Curaçao, Bregu i Fildishtë, Ekuador
Grupi F: Holandë, Japoni, fituesi i Play off B (Shqipëria, Polonia, Ukraina ose Suedia), Tunizi
Grupi G: Belgjikë, Egjipt, Iran, Zelanda e Re
Grupi H: Spanjë, Kepi i Gjelbër, Arabia Saudite, Uruguai
Grupi I: Francë, Senegal, fituesi Play off 2 (Irak vs Bolivi – Suriname), Norvegji
Grupi J: Argjentinë, Algjeri, Austri, Jordani
Grupi K: Portugali, fituesi Play off 1 (Kongo/ Xhamajka-Kaledonia e Re), Uzbekistan, Kolumbi
Grupi L: Angli, Kroaci, Gana, Panama

